Statute
STATUTI I "FREE LIBRE OPEN SOURCE SOFTWARE KOSOVA"
I. DISPOZITAT THEMELORE
- Neni 1
- Ky statut përcakton rregullat e organizimit, funksionimit dhe të veprimtarisë së shoqatës "Free Libre Open Source Software Kosova", shkurtesa zyrtare e së cilës është: FLOSSK.
- Neni 2
- Dispozitat e këtij statuti zbatohen nga Kuvendi i Anëtarëve (Në tekstin e mëtejmë: Kuvendi) të shoqatës dhe të gjithë personat e angazhuar për dhe rreth veprimtarisë së "Free Libre Open Source Software Kosova".
- Neni 3
-
- Ky Statut është dokumenti kryesor i "Free Libre Open Source Software Kosova".
- "Free Libre Open Source Software Kosova" është themeluar në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-134 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare në Republikën e Kosovës. Veprimtaria dhe aktet e brendshme të saj me këtë Statut harmonizohen me Ligjin Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare (Në tekstin e mëtejmë: Ligji).
- Të gjitha dokumentet zyrtare të shoqatës duke përfshirë rregulloret, procedurat, manualet dhe politikat zhvillimore janë në përputhje me këtë Statut dhe legjislacionin në fuqi.
- Neni 4 - Forma e organizmit
- "Free Libre Open Source Software Kosova" është organizatë jo-profitabile, e cila në përputhje me përkufizimin e dhënë në Nenin 16 dhe Nenin 19.1 (1.1) të Ligjit Nr. 06/L- 043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare (Në tekstin e mëtejmë: Ligji), ka formën e organizimit si Shoqatë.
- Neni 5 - Parimi për jo përfitim
-
- Shoqata nuk shpërndan të ardhura ose fitime për asnjë person.
- Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e Shoqatës përdoren për të mbështetur qëllimet jofitimprurëse të saj.
- Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e Shoqatës nuk përdoren për të sjellë drejtpërdrejtë ose tërthorazi përfitime, për ndonjë themelues, drejtor, zyrtar, anëtar të Kuvendit, punonjës ose donatorë të Shoqatës, përveç pagesës për personat e punësuar që kryejnë punë për shoqatën.
- Shoqata mund të angazhohet në aktivitete ekonomike me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të saja jofitimprurëse, në pajtim me Nenin 35 të Ligjit, me kusht që të ardhurat e realizuara përmes aktiviteteve ekonomike të shfrytëzohen ekskluzivisht për të arritur qëllimet e theksuara në këtë Statut.
- Neni 6 - Konflikti i interesit dhe detyrimi në lojalitet
-
- Asnjë anëtari të organit drejtues nuk i lejohet të marrë pjesë në diskutim apo në marrjen e vendimit për çështje kur ai ka interes privat të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit.
- Çdo transaksion ndërmjet OJQ-së dhe anëtarëve, të punësuarit, anëtarëve të bordit apo të organizatave të ndërlidhura, kryhet sipas vlerës së tregut ose në kushtet më të favorshme për OJQ-në.
- Të gjithë anëtarët dhe të punësuarit tjerë në FLOSSK, obligohen që të tregojnë lojalitet ndaj OJQ-së, të mbrojnë fshehtësinë e informatave jo-publike dhe interesat e OJQ-së, si dhe të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre me mirëbesim dhe kujdes.
- Neni 7 - Transaksionet financiare të Shoqatës
- Të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e shoqatës, kryhen nëpërmjet institucioneve financiare të licencuara nga BQK në llogaritë bankare të hapura në emër të shoqatës, përveç rasteve të lejuara me legjislacionin në fuqi.
- Neni 8 - Ndalimi i mbledhjes së fondeve, fushatave dhe mbështetjes së kandidatëve dhe partive politike
- Organizata nuk mund të angazhohet në mbledhje fondesh ose në fushata për të mbështetur partitë politike ose kandidatët për funksione politike dhe as nuk mund të propozojë, regjistrojë kandidatë për poste politike.
II. QËLLIMI DHE FUSHËVEPRIMI I SHOQATËS
- Neni 9 - Qëllimi i Shoqatës
- Shoqata është themeluar me qëllim të: Avancimit të përqafimit dhe zhvillimit të Softuerit të Lirë dhe me Burim të Hapur (FLOSS), mbështetjes së krijimit dhe shpërndarjes së dijes së hapur, dhe ofrimit të edukimit gjithëpërfshirës në fushën e teknologjisë, duke nxitur inovacionin dhe bashkëpunimin për një shoqëri të hapur.
- Neni 10 - Fushëveprimi i Shoqatës
- Shoqata, për realizimin e qëllimeve të ligjshme për interes publik, ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha specifike:
- Rini:
- Fuqizimi i të rinjve përmes përfshirjes aktive në teknologji, inovacion dhe projekte komunitare.
- Krijimi i programeve dhe mundësive për zhvillimin e shkathtësive digjitale dhe orientimin në karrierë për të rinjtë.
- Edukim/Trajnim:
- Organizimi i trajnimeve profesionale, punëtorive (workshops), kampeve intensive (bootcamps) dhe akademive për ngritjen e kapaciteteve.
- Bashkëpunimi me institucione arsimore për promovimin e materialeve mësimore të hapura (Open Courseware) dhe edukimit mbi teknologjinë.
- Teknologji Informative:
- Promovimi dhe mbështetja e përdorimit të Softuerit të Lirë dhe me Burim të Hapur (FLOSS) dhe teknologjive të tjera të hapura.
- Hulumtim dhe Zhvillim (R&D), menaxhimi i hapësirave krijuese teknologjike (Hackerspaces/Makerspaces) dhe zhvillimi i projekteve digjitale inovative.
- Avokim dhe Lobim:
- Nxitja e politikave publike për përqafimi e standardeve të hapura, të dhënave të hapura (Open Data) dhe transparencës digjitale në institucione publike.
- Avokimi për të drejtat digjitale dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar mbi rëndësinë e teknologjisë së hapur.
- Rini:
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I BRENDSHËM I SHOQATËS
- Neni 11 - Strukturat Udhëheqëse
- Strukturat udhëheqëse të Shoqatës janë: 1.1. Kuvendi i Anëtarëve (në tekstin e mëtejmë : Kuvendi) si dhe 1.2. Bordi Ekzekutiv (në tekstin e mëtejmë: Bordi).
- Neni 12 - Kuvendi
-
- Kuvendi është organi më i lartë qeverisës i shoqatës, i cili përbëhet nga të gjithë Anëtarët e Plotë (Voting Members) të Shoqatës.
- Kuvendi ka përgjegjësinë më të lartë për politikën dhe çështjet financiare të shoqatës. Në këtë kuadër, Kuvendi ka kompetencë të zgjedhë dhe të shkarkojë anëtarët e Bordit, të aprovojë raportet periodike financiare dhe të punës, të interpretojë dhe ndryshojë Statutin, si dhe të vendosë për bashkimin, ndarjen apo shuarjen e Shoqatës. Këto përgjegjësi nuk mund të delegohen tek Bordi.
- Kuvendi, me vendimin e shumicës së anëtarëve të tij, mund të delegojë ndonjë prej përgjegjësive të veta tek Bordi, me përjashtim të përgjegjësive të cilat nuk delegohen sipas nenit 31 të Ligjit dhe paragrafit 2 të këtij neni.
- Neni 13 - Anëtarësimi në Shoqatë
-
- Kushtet e anëtarësimit në shoqatë janë: 1.1. të pranojë Statutin e organizatës; 1.2. të angazhohet për përmbushjen e qëllimeve të organizatës; 1.3. të jetë aktiv në iniciativat e organizatës sipas kategorive të përcaktuara.
- Shoqata njeh dy kategori anëtarësimi:
- Anëtarë të Asociuar (Kontribues): Marrin pjesë në aktivitete por nuk kanë të drejtë vote në Kuvend.
- Anëtarë të Plotë (Votues): Anëtarë me kontribut të dëshmuar (së paku 1 vit aktivitet si Anëtar i Asociuar) dhe të votuar nga Kuvendi, të cilët kanë të drejtë vote.
- Anëtarësimi në shoqatë është i hapur për çdo person që i plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, pavarësisht racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare apo shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
- Kuvendi i anëtarëve vendosë nëse kërkohet pagesa e anëtarësimit nga anëtarët. (Në rast të vendosjes së pagesës së anëtarësimit, Kuvendi do të vendosë për rregullat dhe procedurat e pagesës së anëtarësimit, përfshirë marrjen e masave të ndryshme, deri në përjashtimin e anëtarit nga organizata në rast të mos pagesës së anëtarësisë).
- Anëtarësimi në shoqatë përfundon kur anëtari/anëtarja: 5.1. nuk vazhdon t’i përmbushë kushtet e përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni; 5.2. dorëhiqet; 5.3. dënohet me vendim të plotfuqishëm gjyqësor për vepër penale; 5.4. përjashtohet nga shoqata me vendim të Kuvendit të Anëtarëve; 5.5. vdes.
- Anëtarësimi i ndonjë anëtari gjithashtu mund të suspendohet me vendimin e Kuvendit të Anëtarëve në rast të mosrespektimit të statutit të shoqatës. Në rast të suspendimit, kohëzgjatja e suspendimit përcaktohet nga Kuvendi.
- Përfundimi ose suspendimi i anëtarësimit nga Kuvendi i Anëtarëve vendoset me shumicë të anëtarëve prezent.
- Neni 14 - Detyrat dhe përgjegjësitë e Kuvendit
-
- Kuvendi mbikëqyrë punën e përgjithshme të Shoqatës dhe ka përgjegjësi të plotë për çështje të politikave zhvillimore dhe financiare të Shoqatës.
- Kuvendi i Anëtarëve do të takohet një herë në vit në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore (MPV) ku shqyrtohet dhe miratohet raporti për mjetet, detyrimet, të ardhurat, shpenzimet dhe programet e organizates për vitin e kaluar, si dhe plani per mjetet, e detyrimet e parapara, të ardhurat, shpenzimet dhe programet e organizates për vitin e ardhshëm.
- Kuvendi i Anëtarëve mund të takohet gjithashtu edhe në Mbledhjen e Përgjithshme të Jashtëzakonshme (MPJ) kurdoherë që kërkohet nga (gjysma e anëtarëve) ose nga Bordi Ekzekutiv. Një kërkesë e tillë duhet t'i drejtohet Bordit Ekzekutiv i cili do të njoftojë për takimin të gjithë anëtarët, në pajtim me procedurat të shpjeguara në paragrafin 6.3.
- Lajmërimi me shkrim për MPV dhe/ose MPJ duke përfshirë datën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjes, së bashku me rendin e ditës për takimin do t'u shpërndahet të gjithë anëtarëve së paku (katërmbëdhjetë) ditë para ditës së mbajtjes së mbledhjes.
- Për mbajtjen e mbledhjes është e nevojshme më së paku pjesëmarrja e 50% +1 të anëtarëve. Nëse ky minimum (kuorumi) nuk arrihet takimi do të shtyhet për një ditë të përcaktuar më vonë dhe njoftim i ri do t'u dërgohet të gjithë anëtarëve.
- Secili anëtar i organizatës ka një votë në Kuvendin e Anëtarëve.
- Vendimet në Kuvendin e Anëtarëve do të merren me shumicën e anëtarëve prezent.
- Secili anëtar i Kuvendit të Anëtarëve duhet të abstenojë nga votimi ose marrja e vendimit në çfarëdo çështje për të cilën ai ose ajo ka interes personal ose ekonomik.
- Përveç kësaj, Kuvendi ka kompetencat si në vijim:
- zgjedh dhe shkarkon anëtarët e Organit të Ndërmjetëm (Bordin Ekzekutiv);
- zgjedh dhe shkarkon Përfaqësuesin e Autorizuar të Shoqatës;
- vendos për tjetërsimin e pasurisë dhe aseteve të shoqatës
- miraton strategjinë e veprimit të Shoqatës, si dhe dokumentet tjera të rëndësishme strategjike të shoqatës;
- aprovon raportet periodike financiare dhe të punës;
- vendos për bashkim, ndarje apo shuarje të Shoqatës.
- Neni 15 - Organi i ndërmjetëm (Bordi Ekzekutiv)
-
- Bazuar në përgjegjësitë e dhëna me këtë statut, organi udhëheqës i ndërmjetëm Bordi Ekzekutiv vepron çdo herë në pajtim me qëllimin e organizatës.
- Organi i ndërmjetëm Bordi Ekzekutiv do të ketë këto përgjegjësi:
- Të zbatojë politikat dhe vendimet e Kuvendit të Anëtarëve;
- Të mbikëqyrë punën e Zyrtarit dhe Nëpunësit;
- Të përgatisë dhe propozojë plane strategjike dhe buxhetore;
- Të sigurojë qëndrueshmërinë financiare të Shoqatës.
- Bordi Ekzekutiv duhet të veprojë çdo herë në pajtim me qëllimin e organizatës.
- Përpos kompetencave të dhëna me këtë statut, Bordi Ekzekutiv do të ketë gjithashtu edhe këto kompetenca:
- të veprojë në emër të organizatës,
- të lidhë organizatën në ndonjë marrëveshje me nënshkrimin e dy drejtorëve,
- Bordi Ekzekutiv zgjedhet nga anëtarët e organizatës. Ata do të zgjidhen individualisht nga Kuvendi i Anëtarëve me shumicë të votave nga anëtarët e pranishëm.
- Drejtori zgjedhet në kohëzgjatje prej (një) viti dhe do të ushtroj detyrën deri në zgjedhjen e drejtorit të ri.
- Mandati (kontrata) e punës mund të pushojë: në rast vdekje, dorëheqje ose shkarkim nga detyra
- Bordi Ekzekutiv do të ketë të paktën 3 (tre) anëtarë, një nga të cilët zgjedhet kryetar i Bordit.
- Anëtarët e Bordi Ekzekutiv mund të zgjedhen për mandate të njëpasnjëshme.
- Anëtarët e Bordi Ekzekutiv mund të shkarkohen para përfundimit të mandatit me votat e MPV- së dhe MPJ-së të Kuvendit të Anëtarëve.
- Në rast të vdekjes, dorëheqjes ose shkarkimit të anëtarit të Bordi Ekzekutiv, Kuvendi i Anëtarëve duhet të zgjedhë pasardhësin për të shërbyer për kohën e mbetur.
- Vendimet në Bordin e Drejtorëve merren me shumicë.
Bordi Ekzekutiv mund të vendos t'i drejtohet për çfarëdo çështje Kuvendit të Anëtarëve për marrje të vendimit.
- Kurrëfarë pagese ose kompensimi nuk duhet t'u bëhet drejtorëve pa aprovimin e Kuvendit të Anëtarëve dhe vetëm kur pagesa ose kompensimi është i arsyeshëm dhe bëhet për punën e kryer për organizatë.
- Secili anëtar i Bordi Ekzekutiv duhet të abstenojë prej votimit për marrjen e vendimeve ose për çfarëdo çështje tjetër për të cilën ai ose ajo ka interes personal ose ekonomik.
- Neni 16 - Përfaqësuesi i autorizuar
-
- Kryetari i Bordit Ekzekutiv i zgjedhur nga anëtarët, zgjedhet edhe përfaqësues ligjor.
- Shoqata mund të caktojë edhe ndonjë përfaqësues tjetër të autorizuar, i cili është rezident në Republikën e Kosovës, sipas nenit 23 të Ligjit.
- Përfaqësuesi i autorizuar i Shoqatës zgjedhet me mandat një (1) vjeçar me të drejtë të rizgjedhjes.
- Përfaqësuesi i Autorizuar i Shoqatës ka përgjegjësitë si në vijim: 4.1. përfaqëson shoqatën pranë autoriteteve relevante dhe palëve të treta; 4.2. pranon të gjitha shkresat zyrtare në emër të Shoqatës; 4.3. është përgjegjës për informimin e autoriteteve relevante administrative për çfarëdo ndryshimi në Shoqatë; 4.4. është përgjegjës për hapjen dhe administrimin e llogarisë bankare në emër të Shoqatës; 4.5. i raporton Kuvendit të Anëtarëve (organit që e ka zgjedhur).
- Përfaqësuesi mund të shkarkohet nga Kuvendi i Anëtarëve me 50+1% të votave të anëtarëve të tij, në rast se ka bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës së tij/saj ose vepron në kundërshtim me Statutin.
- Neni 17 - Zyrtarët dhe Nëpunësit
-
- Në rast nevoje Bordi Ekzekutiv do të emërojë Zyrtarë ose të pranojë persona që të marrin përsipër kryerjen e detyrave ditore të organizatës. Kohëzgjatja e punësimit të tyre duhet të caktohet nga Bordi Ekzekutiv, i cili duhet të informojë Kuvendin e Anëtarëve për emërime të tilla.
- Zyrtarët duhet të punësohen përmes marrëveshjes së shkruar e cila detalizon të gjitha të ardhurat dhe të mirat e tjera që duhet t'i paguhen Zyrtarit. Të gjitha pagesat duhet të jenë të arsyeshme dhe duhet të paguhen vetëm punën e kryer për organizatë.
- Neni 18 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
- Mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve, ndërmjet tyre dhe organeve të zgjedhura nga Kuvendi dhe të punësuarave zgjidhen me mirëkuptim dhe në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme të Shoqatës, në të kundërtën çështja zgjidhet nga gjykata kompetente.
- Neni - 19 Periudhat e Raportimit dhe Viti Financiar
-
- Organi i ndërmjetëm Bordi Ekzekutiv dhe Zyrtarët përgjegjës paraqesin raporte vjetore para Kuvendit të Anëtarëve në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore (MPV) ose kurdoherë që kërkohet në një Mbledhje të Përgjithshme të Jashtëzakonshme (MPJ).
- Viti financiar i organizatës përputhet me vitin kalendarik.
VI. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
- Neni 20 - Rregullorja e Punës
- Kuvendi i shoqatës në pajtim me këtë Statut dhe legjislacionin përkatës në fuqi, aprovon rregullore të punës për mënyrën e vendimmarrjes dhe veprimtarinë e vet.
- Neni 21 - Shpërbërja
-
- Shoqata mund të shpërbëhet me vendimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
- Me rastin e vendosjes për shpërbërjen e Shoqatës, Kuvendi cakton OJQ-në apo OJQ-të e regjistruara në Republikën e Kosovës, që do të marrin pasurinë dhe asetet e mbetura, pasi të jenë paguar borxhet e Shoqatës. OJQ-të e zgjedhura duhet të kenë qëllim të njëjtë ose të ngjashme sikurse Shoqata.
- Neni 22 - Hyrja në fuqi
-
- Ky Statut mund të ndryshohet me dy të tretat (2/3) e votave të Anëtarëve të Kuvendit te shoqatës.
- Ky Statut hyn në fuqi në ditën e miratimit nga Kuvendi i Anëtarëve.
Ky Statut është miratuar në Prishtinë më: 6 Dhjetor 2025
Kryesuesi i Mbledhjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Anëtarëve
Emri Mbiemri: Besfort Guri